Me datë 16 tetor 2023 (e hënë), kryetari i Fondacionit për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS, hoxhë Rufat Sherifi, i shoqëruar nga anëtari i Këshillit Drejtues të AXIS, Mr. Muhamed Murtezi, e vizituan Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe zhvilluan një takim miqësor me rektorin e këtij universiteti, Prof. Dr. Izet Zeqiri.
Me këtë rast, kryetari i Fondacionit AXIS e përgëzoi rektorin e UNT-së për detyrën që po e kryen tashmë një vit e gjysmë si i pari i universitetit, ndërsa e uroi edhe për fillimin e këtij viti akademik te hapësirat e reja, në kampusin universitar te kazerma “Ilinden”. Po ashtu, kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Sherifi, e njoftoi rektorin e UNT-së edhe me veprimtarinë dhe objektivat e Fondacionit AXIS, ku vend të posaçëm zë fusha e edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja, si njëra nga shtyllat e rëndësishme të zhvillimit të shëndoshë mbarëshoqëror.
Rektori, Prof. Dr. Izet Zeqiri, nga ana e tij, u falënderua për këtë vizitë dhe informoi delegacionin e Fondacionit AXIS mbi rrjedhën e punëve për konsolidimin e objekteve të reja të universitetit, me mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor brenda UNT-së, si dhe për sfidat dhe nevojat me të cilat është duke u përballur Universiteti “Nënë Tereza” për momentin.
Gjatë këtij takimi u theksua dëshira e përbashkët për të kontribuar në përmirësimin e kushteve për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor dhe gatishmëria për të bashkëpunuar në fusha me interes të përbashkët.
Pas bisedës së realizuar iu bë edhe një vizitë ambienteve të punës, sallave ligjëruese dhe objekteve tjera shoqëruese të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.



