Kryetari i Fondacionit për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS, z. Rufat Sherifi, pjesëmarrës në shënimin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup

Kryetari i Fondacionit për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS, z. Rufat Sherifi, mori pjesë në ceremoninë solemne të organizuar me rastin e 8-vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ngjarja u mbajt sot, më 25 dhjetor 2024, në hapësirat e UNT-së dhe mblodhi figura të shquara nga fusha e arsimit, biznesit dhe drejtues të fondacioneve që kanë mbështetur UNT-në në përmbushjen e misionit të saj edukativ dhe arsimor.

Pjesëmarrja e z. Sherifi në këtë event nënvizoi përkushtimin e Fondacionit AXIS për të kontribuar në avancimin e arsimit dhe për të mbështetur projektet që promovojnë arsimin, kulturën dhe vlerat qytetëruese. Ai theksoi angazhimin e Fondacionit për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj dhe një shoqëri të bazuar në vlera të qëndrueshme dhe zhvillim afatgjatë.

Në fjalën e tij, rektori i UNT-së, akademik prof. dr. Izet Zeqiri, paraqiti arritjet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup gjatë tetë viteve të ekzistencës së tij, duke ndarë gjithashtu vizionin për të ardhmen e këtij institucioni të lartë arsimor.

Fondacioni AXIS
Shkup, 25.12.2024

Lajmet e fundit