Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS organizoi tribunën me temë “Vlerat Islame dhe Shoqëria Bashkëkohore”

Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS organizoi tribunën me temë “Vlerat Islame dhe Shoqëria Bashkëkohore”, ku morën pjesë të ftuar të nderuar, përfaqësues nga institucione të ndryshme, përfaqësues të shoqërisë civile, hoxhallarë, profesorë, afaristë dhe mysafirë nga rajoni dhe vendet fqinje.

Pas leximit të disa pjesëve nga Kurani Fisnik nga Hafiz Abdulkerim Ebibi dhe fjalës hyrëse të moderatorit Fisnik Shabani, tribunën e përshëndeti kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Sherifi, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe mbështetjen e tyre për aktivitetet e fondacionit.

Një mesazh të veçantë dërgoi Dr. Isam el-Beshir, dijetari i shquar islam, përmes një video-mesazhi që u transmetua për të pranishmit. Përmes kësaj videoje, Dr. el-Beshir ndau mendimet e tij mbi temën e tribunës dhe shprehu mirënjohjen për organizatorët, ndërsa përkthimi i mesazhit u ofrua nga përkthyesi Indrit Lita.

Ligjëratat kryesore u mbajtën nga dy dijetarë të njohur: Dr. Abdulvehab Turejri nga Arabia Saudite dhe Dr. Muhamed Ali Balau nga Britania e Madhe.
Dr. Turejri foli mbi rëndësinë e jetës dhe mësimeve të Profetit Muhamed (savs) dhe ndikimin e tyre në shoqërinë bashkëkohore, ndërsa Dr. Balau trajtoi tema nga jurisprudenca dhe mendimi islam. Të dy ligjëratat u përkthyen për të pranishmit në sallë, duke mundësuar një komunikim të plotë për të gjithë pjesëmarrësit.

Në përmbyllje, organizatorët dhe të pranishmit falënderuan ligjëruesit për ndarjen e njohurive të tyre dhe shprehën shpresën për takime të tjera të ngjashme në të ardhmen, me qëllim pasurimin shpirtëror dhe intelektual të komunitetit.

Fondacioni AXIS
Shkup, 11.11.2024

Lajmet e fundit