Fondacioni AXIS në vizitë zyrtare në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup

Sot, 29 tetor 2025, një delegacion nga Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS, i udhëhequr nga Kryetari z. Rufat Sherifi, i shoqëruar nga Kryetari i Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), Dr. Kujtim Kasami, dhe Mr. Milazim Mustafa, anëtar i Kryesisë së QMBI, zhvilluan një vizitë zyrtare në Universitetin “Nënë Tereza” (UNT) në Shkup, ku u prit ngrohtësisht nga Rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji.
Gjatë takimit, z. Sherifi e uroi Rektorin Fetaji për marrjen e detyrës së re si Rektor i Universitetit “Nënë Tereza”, duke i dëshiruar suksese në drejtimin e institucionit dhe në realizimin e objektivave zhvillimore të universitetit.
Takimi u zhvillua në një frymë miqësore dhe bashkëpunuese, ku u ndanë ide dhe vizione për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit AXIS dhe Universitetit “Nënë Tereza”.
Diskutimet u përqendruan në fusha me interes të përbashkët, si:
– arsimi dhe edukimi i të rinjve,
– kërkimi shkencor dhe zhvillimi profesional,
– promovimi i kulturës, dialogut ndërkulturor dhe vlerave të bashkëjetesës.
Gjatë bisedës, Rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji ndau planet strategjike të universitetit për zhvillimin akademik dhe institucional, ndërsa z. Rufat Sherifi shprehu mbështetjen e plotë të Fondacionit AXIS për nisma që synojnë përmirësimin e cilësisë akademike dhe forcimin e sistemit arsimor në vend.
Në përfundim të takimit, të dy palët u zotuan të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin e ndërsjellë, për të konkretizuar projekte të përbashkëta që do të kontribuojnë në zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror të Maqedonisë së Veriut.
Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS
Shkup, 29 tetor 2025

Lajmet e fundit