Me datë 14 shtator 2024, Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS zhvilloi trajnimin njëditor me temë “Strategjitë për zhvillim dhe reformim organizativ”.
Trajnimi u realizua nga Dr. Visar Ademi, një ekspert me përvojë të pasur shumëvjeçare në fushën e zhvillimit të kapaciteteve të organizatave joqeveritare dhe bizneseve private në vendin tonë dhe jashtë.
Gjatë dy sesioneve të trajnimit, Dr. Visar Ademi trajtoi tema kyçe si struktura organizative, analizimi i faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë në suksesin e një organizate, përdorimi i metodave të tilla si SWOT (analiza e pikave të forta, dobësive, mundësive dhe rreziqeve) dhe SMART (qëllime të qarta, të matshme, të realizueshme, të arritshme dhe të përcaktuara në kohë). Një tjetër aspekt i rëndësishëm që u trajtua ishte edhe roli i brendimit në rritjen dhe qëndrueshmërinë e një organizate.
Trajnimi u zhvillua në një atmosferë dinamike, ku pjesëmarrësit u inkurajuan të angazhohen në diskutime dhe të ndanin përvojat e tyre, duke i dhënë kështu një vlerë të shtuar trajnimit.




