Sot, në ambientet e Çifte Hamamit në Shkup, u bë hapja solemne e Muzeut Mobil mbi jetën e Profetit Muhamed (a.s.), nën moton domethënëse “Model jete”.
Ngjarja u nderua me praninë e një numri të madh mysafirësh dhe personalitetesh nga jeta fetare, institucionale dhe shoqërore. Të pranishëm ishin Muftiu i Shkupit, dr. Qenan Ismaili, kryetari i Këshillit të Komunës së Çairit, z. Muhamed Murtezi, përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe drejtues të organizatave joqeveritare, hoxhallarë, intelektualë dhe veprimtarë të jetës publike.
Aktiviteti nisi me leximin e ajeteve kuranore nga hafëz Sabaatin Nuhiju, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajtën drejtues institucionalë dhe fetarë.
Muzeu Mobil synon të sjellë më afër jetën, misionin dhe vlerat universale të Profetit Muhamed (a.s.), duke e paraqitur atë si model jete për individin dhe shoqërinë.
Muzeu do të jetë i hapur për vizitorë deri më 06.02.2026, çdo ditë nga ora 10:00 deri në 18:00.
Për informata më të detajuara rreth muzeut klikoni në këtë link https://muzeuaxis.netlify.app/



















