Simpoziumi “Ramazani, mundësi për fuqizimin e vlerave në kohën postmoderne” mblodhi studiues e personalitete nga rajoni

Sot, më 21 shkurt 2026, në ditën e tretë të muajit të bekuar të Ramazanit, Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS organizoi simpoziumin me temë “Ramazani, mundësi për fuqizimin e vlerave në kohën postmoderne”, duke mbledhur studiues, përfaqësues institucionesh dhe mysafirë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës dhe Turqia.
Aktiviteti u hap me lexim nga Kurani nga hfz. Xhemail Nuhiju, ndërsa moderimin e bëri Medin Bajrami, i cili u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe theksoi rëndësinë e reflektimit mbi vlerat shpirtërore dhe shoqërore që Ramazani i rikthen në qendër të jetës individuale dhe kolektive.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Fondacionit AXIS, Rufat Sherifi, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen dhe theksoi misionin e fondacionit për promovimin e zhvillimit, qytetërimit dhe fuqizimit të vlerave në shoqëri, veçanërisht në kohë sfidash kulturore e morale.
Paneli i simpoziumit solli dy figura të njohura të mendimit dhe angazhimit intelektual nga rajoni:
Milazim Krasniqi, publicist, shkrimtar dhe Profesor i Asociuar i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, trajtoi dimensionin kulturor dhe mediatik të kohës postmoderne, duke theksuar se Ramazani përfaqëson një mundësi për rikthimin e etikës, përgjegjësisë dhe kuptimit në një realitet të fragmentuar shoqëror.
Tahir Zenelhasani, teolog dhe aktivist nga Tirana, foli mbi rolin e arsimit fetar dhe institucioneve edukative në formësimin e brezave me vlera të qëndrueshme morale, duke e parë Ramazanin si shkollë të disiplinës, solidaritetit dhe vetëdijes shoqërore.
Të dy ligjëruesit u vlerësuan për kontributin e tyre dhe për reflektimet e thelluara që sollën para audiencës.
Në kuadër të programit, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Mustafa Bodur, Atashe për çështje fetare i Turqisë në Maqedoninë e Veriut, i cili përgëzoi organizatorët për iniciativën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe forcimit të lidhjeve shpirtërore ndërmjet komuniteteve.
Aktiviteti u përmbyll me iftar të përbashkët, në një atmosferë vëllazërore dhe miqësore, me lutjen që agjërimi dhe adhurimet e këtij muaji të pranohen dhe të shërbejnë si shtysë për forcimin e vlerave në shoqërinë tonë.
Fondacioni për Zhvillim dhe Qytetërim AXIS mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të organizojë aktivitete që kontribuojnë në zhvillimin intelektual, shpirtëror dhe shoqëror të komunitetit.
Fondacioni AXIS

Lajmet e fundit