Konferenca Shkencore me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, me temë: “Shqiptarët e RMV-së, 113 vjet pas Pavarësisë së Shqipërisë”

Fondacioni AXIS, në bashkëpunim me Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup dhe Qendrën për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), realizoi sot Konferencën Shkencore me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, me temë:
“Shqiptarët e RMV-së, 113 vjet pas Pavarësisë së Shqipërisë”.
Konferenca u mbajt në hapësirat e UNT-së dhe përfshiu prezantime shkencore nga akademikë dhe studiues të fushave të ndryshme, të cilët trajtuan zhvillimet historike, ekonomike, arsimore dhe politike të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Folësit kryesorë:
Akad. Izet Zeqiri – Ekonomia e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut 1912–2025
Dr. Kujtim Kasami – Zhvillimi i arsimit të shqiptarëve pas Pavarësisë së Shqipërisë
Dr. Sevdail Demiri – Shtypi kombëtar shqiptar në Maqedoninë e Veriut
Dr. Qerim Lita – Pozita e shqiptarëve në periudhën pas komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë
Dr. Avni Avdiu – Roli i Shqipërisë dhe Kosovës në avancimin e pozitës së shqiptarëve në RMV
Konferenca u hap nga kryetari i Fondacionit AXIS, z. Rufat Sherifi, si dhe nga Prorektori i UNT-së, Prof. Inxh. Dr. Fati Iseni.
Punimet e konferencës u moderuan nga Mr. Fisnik Shabani, i cili me profesionalizëm dhe qasje të strukturuar siguroi rrjedhë të rregullt të prezantimeve dhe diskutimeve.
Përmbylljen dhe komentet i prezantoi Dr. Kujtim Kasami, kryetar i QMBI-së.
Ky aktivitet shkencor synon të kontribuojë në thellimin e analizave akademike dhe forcimin e bashkëpunimit institucional mbi çështjet që prekin zhvillimin e shqiptarëve në RMV.
Fondacioni AXIS
Shkup, 27.11.2025

Lajmet e fundit